Përmbledhje

Sistemi sipas të cilit zgjidhen organet e qeverisjes vendore parashikon zgjedhjen e kryetarëve të bashkive nëpërmjet një gare mazhoritare, me një raund dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave Bashkiak sipas sistemit propocional me lista të mbyllura, me prag 3% të të gjithë votave të vlefshme për bashkinë përkatëse, për partitë politike dhe 5% për koalicionet. Ky sistem ka si efekt të tij ndërtimin e lidhjeve të dobëta mes zyrtarëve të zgjedhur dhe votuesve të tyre, për sa kohë që votuesit nuk kanë mundësi të identifikojnë kandidatin që i përfaqëson
apo për sa kohë që ata nuk mund të kundërshtojnë kandidatë të cilët nuk kanë bërë punë të mirë në të shkuarën. Për t`u regjistruar si kandidat i pavarur, duhet mbështetje e jo më pak se 1% e zgjedhësve por jo më shumë se 3000 zgjedhës. Ky detyrim ligjor nuk është “miqësor” dhe, si rregull e vështirëson ndërmarrjen e inisiativave për hyrjen në garën zgjedhore të kandidatëve të pavarur që mbështeten nga një grup qytetarësh. Zgjedhjet vendore të zhvilluara pas reformës territoriale administrative, sipas të cilës vendi u nda në 61 bashki, në çdo njërën prej të cilave përfshihen zona urbane dhe rurale, kanë treguar se mundësitë reale dhe hapsirat për përfaqësim, në organet e zgjedhura vendore, veçanërisht të komuniteteve që banojnë në zonat rurale, janë zvogëluar ndjeshëm.

  • Ligji “Për Vetqeverisjen vendore” përcakton se administratorët e njësive administrative nuk zgjidhen. Ata emërohen e shkarkohen nga Kryetari i Bashkisë. Për pasojë përgjegjësitë e tyre janë shumë më tepër të lidhura me plotësimin e detyrave që ju ngarkon kryetari se sa me nevojat që kanë qytetarët.

  • Ligji parashikon ngritjen e strukturave kolegjiale – këshillat komunitar të lagjeve dhe kryetarin dhe këshillin e fshatit, si struktura që zgjidhen nga komunitetet përkatëse por që kanë hapësira të kufizuara për veprim e vendimmarrje. Proçesi zgjedhor i tyre nuk është pjesë e zgjedhjeve që bëhen për organet e qeverisjes vendore. Për zgjedhjen e tyre nuk zbatohen dispozita që janë të përcaktuara në Kodin zgjedhor. Praktikat e derisotme kanë treguar se roli dhe efekti i këtyre strukturave kolegjiale në administrimin e punëve në plotësim të nevojave të komuniteteve është larg pritshmërisë dhe nevojave të qytetarëve. Administrimi i punëve në njësitë administrative është përgjegjësi e administratës që është pjesë e strukturës së bashkisë dhe si e tillë përgjigjet vetëm përpara kryetarit të bashkisë.

  • Për të realizuar një qeverisje vendore sa më efektive në shërbim të interesave të qytetarëve është i nevojshëm një kuadër legjislativ që të krijojë kushtet për rritjen e nivelit të përfaqësimit të qytetarëve në organet që administrojnë punë komunitare në nivel vendor.
    Analiza e legjislacionit aktual e plotësuar edhe me perceptimet e qytetarve për mundësitë që ju ka dhënë ky legjislacion, për përfaqësimin e tyre dhe pjesëmarrje në organet e qeverisjes vendore, është e nevojshme për të konceptuar dhe hartuar ndërhyrjet që duhet të bëhen në këtë legjislacion.

  • Për realizimin dhe suksesin e këtyre ndërhyrjeve është domosdoshme që puna për hartimin e tyre të bashkëshoqërohet me një proçes intensiv konsultimi me grupe qytetarësh, të zgjedhur vendor, stafe akademike dhe specialist të fushës. Lobimi dhe advokimi për mbështetje dhe bashkërendim të përpjekjeve për demokratizimin e sistemit dhe rregullave zgjedhore që zbatohen për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon proçeset e vetqeverisjes vendore janë komponente të rëndësishme të ndërhyrjeve dhe aktiviteteve që parashikohet të kryhen në kuadër të këtij projekti.