Me stafet akademike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Universitetin Europian të Tiranës dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Gjatë javës së fundit, grupi i punës për hartimin e draftit për projekt ligjin “Për referendumet vendore” zhvilloi takime konsultuese me stafet akademike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Universitetin Europian të Tiranës dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Në këto takime u shkëmbyen mendime për çështjet që duhet të trajtohen në kuadrin ligjor për referendumet vendore. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për të zhvilluar një qasje legjislative të re, ndryshe nga ajo që është e trajtuar në Ligjin aktual “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Mbizotërues ishte mendimi që legjislacioni duhet të bëjë të mundur realizimin e inisiativave për referendum vendor, si një proces që mund dhe duhet të zhvillohet si e drejtë, përgjegjësi dhe detyrë e organeve dhe institucioneve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në nivelin e njësive vendore. Ndër zgjidhet e propozuara ishte përfshirja e Gjykatës Administrative, nën juridiksionin e të cilës ndodhet njësia vendore ku parashikohet të zhvillohet një referendum vendor, si institucioni që duhet të vlerësojë bazën ligjore të kërkesës dhe të gjykojë çdo ankesë.
Institucionalizimi i Këshillit Qytetar për Referendumet Vendore, si institucioni me përgjegjësitë për organizimin dhe administrimin e procesit referendar, ishte një ndër propozimet më të diskutuara. Në diskutime u trajtuan edhe çështje që lidhen me nivelin e njësisë së qeverisjes vendore, në të cilin mund të realizohet një referendum lokal. Diskutantë të ndryshëm mbështetën idenë që një referendum vendor mund të zhvillohet edhe vetëm në një njësi administrative ose në një qytet, ndërkohë që të tjerë u shprehën se një referendum i tillë mund të zhvillohet vetëm në një bashki, në disa bashki njëherësh ose në një qark.
Hartimi i rregullave ligjore që do të parandalojnë ndikimin e partive politike në referendumin vendor, ishte shqetësim dhe kërkesë e shprehur në të gjithe takimet konsultuese.
Proçesi i konsultimit publik për draftin për projekt ligjin “Për referendumet vendore” vazhdon.