Themelimi i Institutit Shqiptar i Zhvillimit të Sistemit të Zgjedhjeve bën pjesë në përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë për të zhvilluar kulturën dhe demokracinë në vendin tonë. I fokusuar në trajtimin shumëdimensional të problematikave me të cilat ndeshen proceset zgjedhore, Instituti ka vemendje të përqendruar dhe është i ndjeshëm ndaj çdo problemi që lidhet me të drejtat universale politike të njeriut, kulturën dhe sjelljen e qytetarve si gjenerues, pjesëmarrës dhe përfitues në sistemin demokratik, mbështetjen, pjesëmarrjen dhe monitorimin e veprimtarive të institucioneve publike, të zgjedhurve dhe partive politike. I konceptuar dhe realizuar si një institucion, organizatë jofitimprurëse dhe jo politike, me veprimtari që synon zhvillimin demokratik të vendit, INSIZ ka qenë përherë i angazhuar në monitorimin, vlerësimin dhe dhënien e rekomandimeve për rrugët që duhet të ndiqen për zhvillimin e kulturës qytetare, sjelljes politike dhe kapaciteteve për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe në zbatim të parimeve të trashëgimisë zgjedhore europiane. Bashkëpunimi, mbështetja dhe bashkërendimi i punëve me institucione të tjera të shoqërisë civile, organizata jofitimitprurëse që realizojnë përgjegjësi në proceset zgjedhore, është një ndër karakteristikat dalluese kryesore të INSIZ. INSIZ ka qenë nismëtari, mbështetësi dhe kontribuesi kryesor në përpjekjet e shoqërisë tonë për të realizuar kapacitete efektive në monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve. Ekspertiza dhe angazhimi tij në proceset e formimit dhe zhvillimit të cilësive profesionale të vëzhguesve jopolitik kanë qenë përcaktuese në nxitjen dhe realizimin e frymës bashkëpunuese midis organizatave të ndryshme të shoqërisë civile. Rezultat i kësaj pune kanë qenë institucionalizimi i Forumit të Vëzhguesve të Pavarur Vendor(2003), Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë(2005), Forumit të vëzhguesve që monitorojnë çështjet gjinore të procesit zgjedhor(2011) dhe, së fundi institucionalizimi i Dhomës së Situatës Zgjedhore(2015). INSIZ, si organizatë me vëzhguesit e vet dhe/ose në bashkëpunim me organizata të tjera, që në fillim të aktivitetit të tij dhe në vazhdim, është angazhuar në monitorimin dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. Gjetjet dhe rekomandimet e tij i ka berë përherë publike. INSIZ ka qenë përherë aktiv në proceset legjislative të zhvilluara në kuadër të reformave zgjedhore që janë kryer në vendin tonë. Një dimension i rndësishëm i punës së INSIZ është trajtimi i problemeve që lidhen dhe kushtëzojnë realizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Pjesë e punëve në këtë dimension janë organizimi dhe zhvillimi i fushatave sensibilizuese dhe i proceseve kulturë formuese qytetare, për të drejtat që burojnë nga parimi i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe rrugët që duhet të ndiqen për realizimin e tyre. Me synimin për të rritur kapacitetet dhe cilësinë në shërbimet që ofron për zhvillimin e kulturës demokratike, INSIZ aktualisht ka institucionalizuar, si pjesë përbërëse organike të tij, Akademinë për Demokraci dhe Zgjedhje. Akademia ka si mision kryesor të saj nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e përpjekjeve dhe çdo inisiative që synon realizimin e sukseshëm të proceseve demokratike, ndërtimin e shtetit të të drejtës, zhvillimin e kulturës dhe të sjelljes qytetare demokratike tek të rinjtë, gratë e vajzat, komunitetet në zonat urbane dhe rurale, të zgjedhurit në organet e qeverisjes qendrore e vendore, etj.. në përputhje me kulturën dhe standartet e gjithëpranuara demokratike.

Prof.Dr. Kristaq KUME
Drejtor Ekzekutiv
