Korrik 2021 – Aktivitet në Korçë me anëtarë të komuniteteve të zonave rurale dhe urbane, të zgjedhur në organet e pushtetit lokal, ish këshilltarë dhe përfaqësues lokalë, përfaqësues të shoqërisë civile

Korrik 2021

Në vazhdimësi të aktiviteteve në kuadër të projektit Rritja e cilësisë së përfaqësimit të qytetarëve në organet e zgjedhura të pushteti lokal, të mbështetur nga Leviz Albania , Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, #INSIZ, së bashku me partnerët tanë të #QendraTamara, zhvilloi aktivitetin e programuar në bashkinë Maliq, Qarku Korçë. Në këtë takim morën pjesë anëtarë të komuniteteve të zonave rurale dhe urbane, të zgjedhur në organet e pushtetit lokal, ish këshilltarë dhe përfaqësues lokalë, përfaqësues të shoqërisë civile etj. Pjesmarrësit ndanë mendimet e tyre për gjendjen e përfaqësimit të qytetarëve në organet e zgjedhura të pushtetit lokal dhe propozime konkrete për rritjen e cilësisë së përfaqësimit. Ndër propozimet e tyre mund të theksojmë: (i) ndryshimin e sistemit zgjedhor për këshillat bashkiak me lista të hapura me të drejtë preference për votuesit; (ii) përcaktimi i kuotave të veçanta për përfaqësim të njësive administrative të ndryshme në këshillin bashkiak, në varësi të numrit të popullsisë; (iii) krijimi i një organi këshillimor dhe/ose vendimarrës në rang njësie administrative, në zonat rurale, me anëtarë kryepleqtë e fshatrave, që janë pjesë e saj; (iv) kufizimi me ligj i të drejtës së dorëheqjes së kandidateve femra në këshillin bashkiak që bëhet me qëllim anashkalimin e kushtëzimit të kuotave gjinore për të favorizuar kandidatët meshkuj; etj… si dhe mundësimi i funksionimit dhe përfaqësimit real të interesave të komunitetit, sidomos për çështje të rëndësishme ku ky komunitet shpërfillet. Mendimet dhe opinionet e shkëmbyera në këtë aktivitet, së bashku me ato të aktivitetiteve të tjera të zhvilluara dhe të planifikuara do të shërbejnë për të konceptuar dhe hartuar ndryshimet që mund dhe duhet të bëhen në legjislacion, Kodin zgjedhor, me objektiv rritjen e cilësisë së përfaqësimit të qytetarëve në organet që zgjidhen për qeverisjen vendore.