2. Me qytetarët durrsakë
Me qytetarët durrsakë u bashkebisedua dhe u shkëmbyen mendime për vleren që ka referendumi vendor dhe mundësitë për organizimin dhe zhvillimin e tij. Folësit në këtë forum qytetar megjithëse e vlerësonin referendumin lokal si mundësi që ofron demokracinë dhe pjesëmarrjen direkte në vendimet për vetëqeverisjen lokale, u shprehën skeptikë dhe nuk ishin entuziastë për mundësitë reale të tyre për të përdorur këtë instrument. Në takim u theksua se është shumë e rëndësishme që, në kuadër të reformës zgjedhore që fillon së shpejti, të trajtohet dhe të rregullohet edhe i gjithë kuadri ligjor për referendumet lokale. Krahas kësaj është e domosdoshme që të punohet për t`ju treguar qytetarëve se çfarë vlere ka një referendum i tillë për jetën e përditshme të tyre. Është e nevojshme që komuniteti qytetar të mbështetet për të zhvilluar kapacitetet e nevojshme për të nxitur dhe realizuar një referendum lokal. U theksua se bashkëpunimi me organet e pushtetit vendor dhe midis organizatave të ndryshme lokale të shoqërisë civile, janë ndër mundësitë që duhet të përdoren për të zhvilluar këto kapacitete.
Vijimësi e takimeve me qytetarët ku diskutohet për referendimin vendor
Në vazhdim të takimeve me qytetarët ku diskutohet për referendumin vendor, si një instrument shumë efikas për realizimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes direkte në vendimarrjen për mirëqeverisjen e komuniteteve lokale, drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Prof. Dr. Kristaq Kume, u takua me qyetarë të njësisë administrative Nr. 6, zona e kënetës, në bashkinë Durrës. Pas shpjegimeve të bëra për vlerën që ka një referendum i tillë, për mundësitë reale, pengesat dhe vështirësitë që duhet të kalohen nëse merret inisiativa për të zhvilluar një referendum lokal, diskutimi u fokusua në punët që duhet të bëhen për ta bërë realisht të mundshme përdorimin e kësaj të drejte kushtetuese.
“Ne jemi një komunitet shumë i madh me rreth 40 mijë banorë. Ne jemi të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Kemi zakone dhe tradita të ndryshme sjellje në bashkëjetesë. Ndyshojmë nga njëri tjetri për mënyrat se si kërkojmë t`i zgjidhim hallet e problemet tona. Kjo na e bën ca të vështirë jetën e përbashkët por, kjo duhet të jetë edhe arsyeja pse të gjithë, sëbashku, duhet te bëjmë përpjekje për të formuar një kulturë të re sjellje në komunitet” – theksoi një nga qytetarët pjesëmarrës në këtë takim. Dhe në vijim ai propozoi që kjo punë e nisur të vazhdonte me formimin e një grupi me qyetarë, ndër më aktivët në jetën komunitare, të cilët të ishin insitiatorët dhe nxitësit e procesit të edukimit qytetar për vlerën e referendumit lokal, të ishin insiatorët për nxitjen dhe formësimin e idesë për organizimin dhe zhvillimin e referendumeve lokale. Ky propozim u mbështet edhe nga administratori i njësisë administrative, i cili theksoi se pjesëmarrja qytetare në vendimarrje nëpërmjet ushtrimit të të drejtës për referendum lokal është një proces që duhet të mbështetet prej të gjithëve dhe duhet të punohet me të gjithë për ta konkretizuar.
Në vazhdim të forumeve ku diskutohet për mundësitë që ka referendumi vendor për pjesëmarrjen direkte të qytetarëve në vendimarrjen për probleme që lidhen me miradministrimin e jetës komunitare, Prof. Dr. Kristaq Kume dhe juristja Olta Qejvani, u takuan dhe biseduan me qytetarë të Bashkisë Shijak. Në takim u theksua se, fakti që në vendin tonë, deri më sot nuk është zhvilluar asnjë referendum vendor mund të shpjegohet me nivelin e ulët të ndërgjegjësimit të shoqërisë për vlerat që ka referendumi vendor, kapacitetet e munguara në komunitetet qytetare për të nxitur dhe për t`u anagazhuar në inisiativa referendare, vështirësitë që ka zhvillimi i një referendumi vendor si pasojë e legjislacionit aktual.
Pjesëmarrësit në forum u shprehën për vlerat që ka referendumi vendor por theksuan se, për ta përdorur atë, përvec se ka vështirësi që lidhen me kulturën dhe kapacitetet e tyre për bashkëpunim me njëri tjetrin, vështirësi më e madhe është politizimi, shpesh i panevojshëm dhe pa kuptim edhe i çështjeve që janë të lidhura kryesisht me probleme të miradministrimit të punëve dhe jetesës në komunitet.
